
Mot tepër i nxehtë në RMV me temperatura mbi 40 gradë deri të martën, me shira të rrëmbyeshëm të dielën
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmëron se deri të martën moti do të jetë shumë i nxehtë, me temperatura ditore në të gjithë vendin mbi 30 gradë, dhe në shumë pjesë mbi 40 gradë Celsius. Vala e nxehtësisë pritet të ulet nga e mërkura, kur do të fillojnë të fryjnë erëra të forta veriore, të cilat do të shkaktojnë ulje të temperaturave ditore. Të dielën, sipas parashikimit të DPH, priten kushte për vranësira lokale të paqëndrueshme me shira të rrëmbyeshëm dhe bubullima në orët e pasdites dhe të mbrëmjes.
Moti nesër dhe në ditët në vijim do të jetë i ngjashëm me ditët e kaluara, me diell dhe shumë i nxehtë me erë të dobët deri në mesatare jugore. Në Shkup, gjithashtu do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë me erë të dobët deri në mesatare jugore. Temperaturat nesër do të variojnë nga 30 gradë në pjesët perëndimore malore të vendit, 38 gradë në juglindje, 39 në rajonin e Vardarit deri në 40 gradë në Shkup. Të shtunën dhe të hënën, temperaturat maksimale do të arrijnë 41 gradë. Indeksi UV do të jetë shumë i lartë, përkatësisht 9.
Temperaturat e larta nuk kursehen as në vendet e tjera të Ballkanit. Në Serbi, Instituti Hidrometeorologjik i Republikës ka paralajmëruar se vala e të nxehtit pritet të intensifikohet në dhjetëditëshin e parë të korrikut, me temperatura maksimale në shumicën e vendeve që variojnë nga 34 deri në 38 gradë, dhe në disa vende rreth 40 gradë. Pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kroacisë kanë paralajmërim portokalli për fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë për shkak të temperaturave të larta.
Kushtet meteorologjike në ditët në vijim do të jenë gjithashtu të rrezikshme për shkak të fillimit dhe përhapjes së zjarreve në hapësirë të hapur, për shkak të tokës së thatë dhe periudhës së zgjatur pa reshje në kombinim me mot me diell dhe temperatura të larta ditore.
Instituti i Shëndetit Publik ka lëshuar së fundmi rekomandime për mbrojtjen e të moshuarve nga moti i nxehtë.
Të moshuarve u kërkohet të shmangin ekspozimin në diell dhe punën jashtë midis orës 11:00 dhe 17:00. Ata duhet të veshin rroba pambuku të lehta, me ngjyra të çelëta, syze dielli mbrojtëse, kapelë me strehë të gjerë dhe krem mbrojtës nga dielli me faktor UV 30+ kur ekspozohen në diell. Të pihet më shumë lëngje se zakonisht dhe mos pritet derisa të ndjeni etje për të pirë ujë. Të shmangni pijet alkoolike, si dhe ato që përmbajnë kafeinë dhe ato jashtëzakonisht të ftohta.
Nëse mjeku juaj ka vendosur ndonjë kufizim në marrjen e lëngjeve, duhet konsultuar.
Rekomandohet të shmangni përdorimin e sobave, furrave dhe pajisjeve të ngjashme midis orës 11:00 dhe 17:00.
“Pacientët kronikë, veçanërisht ata me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe pulmonare, duhet të jenë veçanërisht të disiplinuar në lidhje me këto rekomandime dhe të marrin terapinë e tyre të rregullt”, thekson ISHP.
Për çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore, siç theksohet, është e detyrueshme të konsultoheni me mjekun e zgjedhur të kujdesit parësor.