
MOTO GP: Mbyllen testet në Losail, dominon sërish “Dukati”
Më 9 mars do të nisë sezoni 2024 në MotoGP. Skuadra kanë mbyllur testimet në pistën e Losail (Katar), aty ku dhe do të zhvillohet gara e parë sezonale. Testet kanë konfirmuar dominimin e motorit italian “Dukati”, që duket se edhe këtë sezon do të jetë favorit për titullin për konstruktorë.
Kampioni i botës në fuqi, italiani Françesko Banjaia (Dukati), regjistroi kohën më të shpejtë në prova (1’50”952), duke qenë edhe rekord për këtë pistë. Pas tij është shoku i tij i skuadrës Enea Bastianini, çka tregon se ata do të duelojnë fort për titullin këtë sezon.
“Janë thjesht teste, të shohim garën e parë”, u shpreh Banjaia, që nuk kërkon të krijojë eufori.
Mirë u paraqitën në teste edhe dy motorët “satelitë”, Dukati Gresini e Dukati Pramak, ku spikati Mark Markez, që debuton me motorin italian. Një ritëm të mirë kishte edhe motori “Aprilia”.