MPB aktivizon aplikacion “Qytet i Sigurt” për automjetet me targa të huaja
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se ka vënë në funksion një aplikacion ueb për celularë, “Qyteti i Sigurt”, i cili është i dedikuar për pronarët e automjeteve me targa të huaja. MPB aplikacionin pas kaosit të krijuar gjatë dy ditëve të fundit në pikën kufitare “Tabanoc”, për shkak të pagesës së gjobave për kundërvajtje në trafik të kryera në rrugët e vendit.
MPB-ja njoftoi se përmes aplikacionit, shtetasit e huaj do të mund të marrin në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë informacione për kundërvajtjet në trafik të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”.
Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së
“Gjatë kyçjes në aplikacion, drejtuesi duhet të fotografojë ose të skanojë dokumentin e tij të udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit ose automjeteve që ai përdor në vendin tonë. Në këtë mënyrë, drejtuesit e huaj, automjetet e të cilëve do të evidentohen se kanë kryer kundërvajtje në trafik në territorin e të gjithë vendit, do të mund të informohen në kohë dhe në mënyrë të thjeshtë, si dhe ta përmbushin detyrimin e tyre, pa pasur nevojë për ndalesa shtesë në pikat kufitare”.
Nga MPB-ja, theksuan se bëhet fjalë për ditën e parë të zbatimit të këtij mekanizmi dhe për kundërvajtje të evidentuara gjatë një periudhe më të gjatë.
Kujtojmë se, gjatë dy ditëve të fundit, në pikën kufitare “Tabanoc” janë krijuar pritje të gjata për shkak të fillimit të pagesës së gjobave për kundërvajtjet në trafik të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt” për shtetasit e huaj. Drejtuesit u ankuan për organizimin e dobët, duke theksuar se janë detyruar të presin me orë të tëra.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
