MPB ende nuk i ka konfiskuar celularët e Izet Mexhitit dhe prokurores Verica Kërsteva
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ende nuk ka ndërmarrë masa për sekuestrimin dhe kontrollimin e telefonave të Izet Mexhitit dhe prokurores Verica Bërxheçka Kërsteva, reagojnë familjet e të akuzuarve në rastin “Belanocë/Baron”.
Në reagimin e tyre, familjarët theksojnë:
– Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura, MPB ende nuk ka ndërmarrë masa për sekuestrimin dhe verifikimin e telefonave të Izet Mexhitit dhe prokurores Verica Bërxheçka Krsteva. Gjithashtu, presioni në gjykata vazhdon, me përpjekje që incizimet e përfituara në mënyrë të paligjshme (përgjimet) të përdoren si prova në procesin gjyqësor.
Ne, si familje të të akuzuarve, jemi thellësisht të zhgënjyer nga sjellja e ministrit Pançe Toshkovski dhe vetë MPB-së, sepse vetëm në bazë të dëshmisë së një personi janë arrestuar 18 persona, ndërsa i njëjti person ka përmendur edhe emra të zyrtarëve policorë dhe funksionarëve të lartë të MPB-së, të cilët, sipas tij, e kanë ndihmuar në këto ngjarje — por ndaj tyre nuk është ndërmarrë asnjë masë.
Duam t’ia kujtojmë fjalët ministrit Pançe Toshkovski, i cili deklaroi:
“Edhe vëlla të më jetë, do të përgjigjet.”
Por në realitet, drejtësia është bërë selektive, zoti Pançe — për dikë mbret, për dikë shërbëtor, thuhet në reagimin e dërguar mediave.
Burimi: Infomax






