MPB: Nuk ka pasur ndjekje të veturës që bëri aksident në Bllacë
Ministria e Punëve të Brendshme i hedh poshtë si të pavërteta dhe spekulime të publikuara në një pjesë të mediave lidhur me aksidentin rrugor në autostradën Bllacë–Shkup, në të cilin humbën jetën tre persona, sipas të cilave pretendohet se viktimat janë ndjekur nga një automjet tjetër që është paraqitur rrejshëm si automjet policor dhe se një dukuri e tillë është vërejtur edhe më parë.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Apelojmë që të mos përhapen dezinformata. As nuk është evidentuar një dukuri e tillë dhe as nuk ka ndonjë denoncim për të ashtuquajturën “polici e rreme”. Organet hetimore do ta zbardhin shkakun që ka çuar në këtë aksident trafiku”.
Ndërkohë, kujtojmë se tre shtetas të Kosovës, të cilët ishin raportuar të zhdukur pasi humbën kontaktet me familjarët, u gjetën pa shenja jete brenda një veture të përmbysur në aksin rrugor nga pika kufitare Bllacë drejt Shkupit. Fillimisht ishte raportuar se ishte gjetur e përmbysur një veturë e tipit ‘Mercedes’ me targa gjermane. Pas daljes në vendin e ngjarjes u konstatua se në automjet ndodheshin tre persona të pajetë, një mashkull dhe dy femra, ndërsa vdekja e tyre u konstatua nga mjeku i Ndihmës së Shpejtë.
Anida Murati /SHENJA/