
MPJ: Qytetarët e RMV-së të ndjekin portalet e emergjencës, të përmbahen nga udhëtimi në Izrael dhe Iran
Pas sulmit të Izraelit në Iran, MPJ e Maqedonisë ka dërguar komunikatë në të cilën u bën thirrje qytetarëve të Maqedonisës së Veriut që ndodhen atj, që të ndjekin portalet kombëtare të emergjencës. Ndërkohë qytetarëve brenda vendit, u kërkon që të shmangin udhëtimet në këto vende, raporton SHENJA.
Po e përcjellim të plotë apelin e MPJ-së:
Në lidhje me informacionin për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e Izraelit dhe Iranit të ndjekin portalet kombëtare të emergjencës dhe të veprojnë në mënyrë strikte në përputhje me udhëzimet e institucioneve kompetente. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë të përmbahen nga çdo udhëtim në vendet e këtij rajoni, derisa të përmirësohet situata e sigurisë.
Sipas informacionit të marrë nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, hapësira ajrore mbi Izraelin dhe Iranin është aktualisht e mbyllur, si edhe aeroportet në Tel Aviv dhe Teheran, pa një njoftim specifik për rifillimin e trafikut të rregullt ajror.
U kujtojmë qytetarëve tanë se në rast nevoje për ndihmë, mund të kontaktojnë kontaktet e mëposhtme:
Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv
Tel: +972 54 500 8566 / +972 54 967 0546
Email: telaviv@mfa.gov.mk
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme
Tel: +389 75 273 732 / +389 75 268 736
Email: globalsos@mfa.gov.mk
Ju informojmë se në kuadër të Ministrisë është krijuar një shtab krize, i cili monitoron vazhdimisht situatën dhe do ta informojë publikun për të gjitha lajmet në kohën e duhur.