Mucunski: Historia, identiteti dhe gjuha mbeten vijat tona të kuqe
Ministri i punëve të jashtme Timço Mucunski ka deklaruar se dialogu me Bullgarinë ka qenë i vazhdueshëm që nga formimi i qeverisë aktuale. Ai i pyetur se nëse po zhvillohen bisedime për tejkalimin e mosmarrëveshjes me Bullgarinë, e cila aktualisht përbën një pengesë për avancimin e integrimit evropian të vendit tha se intensiteti i këtij dialogu ka ndryshuar në periudha të ndryshme, por asnjëherë nuk ka munguar përpjekja për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të përshtatshme, brenda qëndrimeve dhe interesave të vendit.
I pyetur nëse ka ndonjë përparim në këtë çështje dhe nëse nga Sofja janë dhënë sinjale se mund të tërhiqet nga disa prej qëndrimeve të saj , Mucunski theksoi se vijat e kuqe të shtetit tonë lidhen me historinë, identitetin, gjuhën dhe kulturën e vendit.
TIMÇO MUCUNSKI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME
“Vijat e kuqe të vendit tashmë janë të përcaktuara. Këto janë qëndrimet që pala maqedonase i paraqet në të gjitha bisedimet që zhvillon. Nuk është e drejtë që procesi i negociatave të ngecë vazhdimisht për çështje që lidhen me identitetin, gjuhën, historinë dhe kulturën maqedonase. RMV pret një sistem garancish nga institucionet evropiane, respektimin e parimit të reciprocitetit në çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, si dhe një zgjidhje që do të mbrojë pozicionet e vendit sa i përket identitetit, gjuhës, kulturës dhe historisë”.
Sa i përket mënyrës se si po zhvillohet dialogu me BE-në, Mucunski tha se gjatë javëve të fundit nuk ka pasur bisedime më konkrete për shkak të pushimeve kolektive vjetore, si në vendet anëtare të Unionit, ashtu edhe në institucionet evropiane. Megjithatë, Mucunski shprehu besimin se në periudhën e ardhshme do të ketë më shumë kontakte dhe vizita.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/
