Mucunski: Ka impuls pozitiv për zhbllokimin e eurointegrimeve, por pa lëshime për identitetin
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se komunikimi me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, institucionet evropiane dhe me Bullgarinë është i vazhdueshëm, por se detajet e bisedimeve nuk bëhen publike me qëllim që të mos dëmtohet procesi, pasi negociatat publike nuk do të çonin drejt zgjidhjes së dëshiruar.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve, Mucunski tha se Maqedonia nuk do të bëjë asnjë lëshim lidhur me historinë dhe identitetin maqedonas. Ai shtoi se është një gjë të respektohen detyrimet ndërkombëtare, ndërsa krejt tjetër kur çështjet dypalëshe keqpërdoren për të bllokuar padrejtësisht rrugën evropiane mbi bazën e pikëpamjeve subjektive.
“Ekzistojnë detyrime dypalëshe që nuk janë vetëm të natyrës politike, por edhe ekonomike dhe sociale, dhe të cilat kemi detyrim t’i respektojmë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare publike. Por është krejt tjetër kur dikush e përdor kontekstin e marrëveshjeve dypalëshe për të bllokuar padrejtësisht procesin,” deklaroi ai.
Mucunski tha se protokollet nuk janë pjesë e kornizës negociuese dhe se pajtohet plotësisht me qëndrimin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, sipas të cilit në përmbajtjen e kornizës negociuese nuk ekziston asnjë dispozitë, as e shprehur dhe as e nënkuptuar, që lidhet me momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.
Ai theksoi se, nga pikëpamja juridike dhe nomoteknike, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet asaj që përmendet në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe në kornizën negociuese, në krahasim me përmbajtjen e Protokollit të Dytë.
“Ne nuk kemi alternativë tjetër përveçse të kërkojmë një zgjidhje. Por e siguroj opinionin maqedonas se çfarëdo zgjidhjeje që të jetë, ajo do të jetë brenda parimeve dhe postulateve që Qeveria i ka shpallur dhe prezantuar publikisht. A po punojmë për një zgjidhje? Sigurisht. Dhe nuk kemi reshtur së punuari për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme në vitet e fundit. Mendoj se ekziston një impuls pozitiv për gjetjen e një zgjidhjeje, por ende nuk ka një zgjidhje që mund t’ia paraqesim publikut. Derisa të gjitha palët e përfshira në proces të bien dakord, bëhet fjalë vetëm për bisedime. Në këtë moment nuk do të doja të bëhesha vlerësues i asaj nëse jemi afër apo larg një zgjidhjeje,” tha Mucunski.
Sa i përket non-paper-eve që u shfaqën gjatë muajve të kaluar, Mucunski tha se në Bashkimin Evropian tashmë po zhvillohen debate intensive për politikën e zgjerimit, pasi sistemi aktual vlerësohet si një model i vjetëruar që kërkon ndryshime serioze, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ngjarje që e vendosi zgjerimin ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian.
