Mucunski: Rindërtimi i Ukrainës nënkupton rikthimin e jetëve, besimit dhe shpresës
Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Koalicionit Ndërkombëtar për Kthimin e Fëmijëve Ukrainasë, i cili u mbajt në margjinat e Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Në fjalën e tij, njofton Ministria e Punëve të Jashtme, Mucunski riafirmoi mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, duke theksuar se më shumë se tre vjet Ukraina po përballet me një agresion të paprovokuar dhe të pajustifikuar nga Rusia, që përbën shkelje të qartë të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Ai theksoi se përveç pasojave gjeopolitike lufta ka shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore, ndërsa si simbolin më të dhimbshëm të kësaj vuajtjeje e veçoi fatin e fëmijëve ukrainasë.
“Bëjmë thirrje për kthimin e menjëhershëm të të gjithë fëmijëve ukrainasë që janë marrë me forcë. Deportimi i tyre përbën shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre njerëzore, dinjitetit dhe sigurisë”, theksoi Mucunski.
Ai gjithashtu tha se teksa agresioni po hyn në vitin e tij të katërt po bëhet gjithnjë e më e qartë se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa përgjegjësi.
Duke folur për rindërtimin e ardhshëm të Ukrainë, Mucunski theksoi se rindërtimi i një shteti nuk nënkupton vetëm ri-konstruksion të infrastrukturës, por edhe rikthim të jetëve, besimit dhe shpresës.
“Historia nuk do të na gjykojë vetëm për deklaratat që bëjmë, por edhe për humanitetin që tregojmë. Detyra jonë sot është t’i ndihmojmë fëmijët e Ukrainës të ndihen sërish të sigurt, të besojnë sërish dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në një Ukrainë të lirë, paqësore dhe sovrane”, tha ai.