
Muhamet Ameti për LD-në e Mexhitit: O veprojmë seriozisht – o e mbyllim me nder
Muhamet Ameti, një nga themeluesit e Lëvizjes Demokratike, ka shfrytëzuar përvjetorin e dytë të krijimit të kësaj force politike për të bërë një thirrje të ashpër për reformim dhe veprim konkret.
“Sot është 13 gushti – dita kur u themelua Lëvizja Demokratike, para dy vitesh,” tha Ameti, duke theksuar se ky mesazh nuk është një urim i zakonshëm, por një apel i qartë për ndryshim.
Ai vlerësoi përkushtimin e atyre që ishin pjesë e fillimit të Lëvizjes, por njëkohësisht kritikoi mungesën e organizimit: “Dy vite janë shumë – për të mos pasur ende struktura. Për të mos pasur ende organe. Për të mos pasur drejtim të qartë.”
Ameti kujtoi pritjet e larta që shoqëruan krijimin e subjektit: “Rinia ka shpresuar. Qytetarët kanë besuar. Por pritjet nuk mund të zgjasin pafund.”
Thirrja e tij ishte e prerë: “Ose veprojmë seriozisht – ose e mbyllim me nder! Sepse populli nuk ka më durim për premtime boshe. Nuk ka më besim për iluzione politike.”
Ai kërkoi që ky të jetë “përvjetori i fundit pa organe, i fundit pa llogaridhënie, i fundit me fjalë por pa vepra”, duke paralajmëruar se pa organizim, Lëvizja Demokratike “nuk është më lëvizje, por vetëm një emër që kujton atë çfarë mund të kishte qenë, por nuk u bë kurrë.” Flaka Media