
Muharrem Salihu u zgjodh president i ri i ConfimpreseItalia Venezia
AA
ConfimpreseItalia Venezia ka zgjedhur me unanimitet Dr. Salihu Muharrem si Presidentin e ri të organizatës për mandatin e ardhshëm trevjeçar.
ConfimpreseItalia është një organizatë e njohur në Itali që përfaqëson interesat e bizneseve mikro dhe të mesme, sektor ky kyç për ekonominë lokale dhe kombëtare.
Ky emërim vjen në një moment të rëndësishëm për organizatën, që po kalon edhe në një fazë të re zhvillimi me zhvendosjen e selisë territoriale në zemër të Venecias, në adresën San Marco 5105.
Salihu është një sipërmarrës italo-shqiptar me mbi 30 vite eksperiencë në fushën e biznesit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Ai është themelues i MELA Holding Group Srl, një grup kompanish që veprojnë në prodhim, shërbime dhe bashkëpunim ndërkombëtar, me bazë në Venecia.
I diplomuar në Ekonomi dhe Financë nga Universiteti i Zugit në Zvicër, Dr. Salihu njihet për vizionin e tij strategjik që përqendrohet në rritjen e qëndrueshme të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, promovimin e inovacionit dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes Italisë dhe rajonit euro-ballkanik.
Në fjalën e tij, Presidenti i ri theksoi rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrësve lokalë, zhvillimit të praktikave të etikës në biznes dhe krijimit të vendeve të punës, duke e bërë Venecian një urë kyçe për bashkëpunimin ndërkombëtar.
Presidenti Kombëtar i ConfimpreseItalia, Dr. Guido D’Amico, i uroi mirëseardhjen Dr. Salihut dhe shprehu besimin se drejtimi i tij do të sjellë energji dhe frymë të re në zhvillimin ekonomik të provincës së Venecias.
Ky ndryshim në drejtim shënon një hap të rëndësishëm për ConfimpreseItalia Venezia dhe pritet të fuqizojë rolin e saj në mbështetjen dhe promovimin e ndërmarrjeve lokale.(INA)