![Mundja ruse bojkoton “Paris 2024”, shtohen gjasat për Shqipërinë](https://shprehja.com/wp-content/uploads/2024/07/Mundje.jpg)
Mundja ruse bojkoton “Paris 2024”, shtohen gjasat për Shqipërinë
Federata Ruse e Mundjes ka njoftuar se sportistët e autorizuar për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike (si neutralë) e kanë refuzuar unanimisht konkurrimin në “Paris 2024”, duke e quajtur evenimentin më madhor sportiv “parodi.
“Ne nuk e pranojmë parimin josportiv të përzgjedhjes në të cilin IOC u mbështet në krijimin e listës së saj të sportistëve të autorizuar dhe qëllimi i të cilit është të minojë unitetin e ekipit tonë”, thuhet në deklaratën e federatës.
“Mundësit rusë ishin në gjendje të merrnin 16 nga 18 kualifikimet e mundshme olimpike në kushtet e kërcënimeve të sanksioneve dhe kufizimeve të pabaza”, vijon komunikata e rusëve.
Nga lista e mundësve rusë të autorizuar për të marrë pjesë në Olimpiadë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka përzgjedhur vetëm 10 sportistë, duke lënë jashtë disa emra të mëdhenj si kampioni i dyfishtë olimpik, Abdulrashid Sadulaev apo kampioni i dyfishtë i botës Zaur Uguev.
“Këto nuk janë Lojëra Olimpike, por një kompeticion parodi. Një diktaturë e pajustifikueshme nga IOC solli që ky organizim të vendoset nga ata edhe në përzgjedhjen e sportistëve. Kjo është e tepërt”, është shprehur presidenti i Federatës Ruse të Mundjes, Mikhail Mamiashvili për gjencinë ruse të lajmeve.
Në Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të marrë pjesë edhe Shqipëria, e cila do të garojë me tetë sportistë. Kombëtarja kuqezi është në kërkim të medaljes së parë olimpike në historinë e saj, ndërsa pritshmëritë më të larta vijnë pikërisht nga sporti i mundjes. Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev dhe afrimi më i fundit, Chermen Valiev, e kanë siguruar kualifikimin me normë për në olimpiadë falë performancës së lartë sportive, së bashku me atleten Luiza Gega.