
Mungesa të bujshme në mbledhjen vendimtare të Ash-së, jashtë takimit Arben Fetai dhe deputeti Salim Sulejmani
Aleanca për Shqiptarët ka nisur mbledhjen vendimtare ku pritet të merret vendimi zyrtar për largimin nga qeveria, por ajo që bie në sy janë mungesat e bujshme të disa figurave të njohura të partisë – Arben Fetait dhe deputetit Salim Sulejmani.
Të dy janë shfaqur hapur të pakënaqur me prishjen e koalicionit VLEN dhe afrimin e partisë me BDI-në, gjë që ka nxitur dyshime të forta mbi pozicionimin e tyre politik. Fetai, përmes një statusi në rrjetet sociale disa ditë më parë, la të kuptohej se mund të qëndrojë në VLEN, ndërsa Sulejmani gjithashtu ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj kursit të ri të partisë. Asnjëri prej tyre nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare deri tani.
Mungesa e tyre në këtë takim vendimtar konsiderohet si sinjal i qartë i përçarjes së thellë brenda strukturave të Aleancës për Shqiptarët, në një moment kur pritet të merret një nga vendimet më të rëndësishme për orientimin e saj të ardhshëm politik.