
Murtezani: Do të ketë largime të tjera nga ASH
Edhe ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, i pyetur nëse kishte ndonjë njoftim për deputetë të tjerë, që mund t’i bashkoheshin koalicionit VLEN, potencoi se do të vazhdojë revolta midis të gjithë mbështetësve, simpatizantëve dhe zyrtarëve në krahun e ASH-së, Taravarit. Sipas tij, mësohet jozyrtarisht se trendi i largimit të deputetëve do të vazhdojë.
“Zhvillimet e fundit që po i shohim tek Aleanca për Shqiptarët, e kryesuar nga zotëri Taravari, shfaq faktin se vendosmëria dhe insistimi për të mos përfunduar në përqafimet e Ali Ahmetit është shumë më e madhe se sa kalkulimet e zotëri Taravarit. Sipas të gjitha informacioneve që i kemi ne, ky revolt do të vazhdojë edhe më tepër dhe do të materializohet, sepse është një insistim për ta sjellë edhe më tej ndryshimin në skenën politike në Maqedoni, e jo për të rikthyer një strukturë kriminale për të cilën ne të gjithë kemi pasur konsensus se duhet të shkojnë në opozitë dhe të ballafaqohen me ligjin.”, – theksoi ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani. /TVM2