
Murtezani në Madrid: Mbështetja spanjolle, shtysë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut
Ministri për Integrime Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, realizoi sot një takim të rëndësishëm në Madrid me Komitetin e Përzier për Çështje Evropiane në Parlamentin Spanjoll, të kryesuar nga Francisco Konde Lopez.
Gjatë këtij dialogu të hapur dhe të sinqertë, u trajtuan çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen evropiane të vendit, përfshirë progresin në procesin e reformave dhe rëndësinë e ndërtimit të një rajoni të qëndrueshëm dhe të begatë. Murtezani nënvizoi se vlerat e përbashkëta demokratike dhe vizioni për një të ardhme të përbashkët evropiane janë shtyllat e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga Spanja. Takime të tilla janë thelbësore për të avancuar procesin e integrimit dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë,” deklaroi ministri Murtezani pas takimit.
Vizita në Madrid shënon një kontribut të rëndësishëm në forcimin e partneritetit me Spanjën dhe përshpejtimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian./ZYRTARE.net