
Murtezani takon Sekretarin e Përgjithshëm francez: Partneritet i ri për avancimin e integrimit evropian
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Paris me Emanuel Puze-Zhoven, Sekretar i Përgjithshëm në Sekretariatin për Çështje Evropiane të Francës, institucion kyç në koordinimin e politikës evropiane të shtetit francez.
Në fokus të takimit ishin mundësitë për bashkëpunim institucional mes dy vendeve, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe përforcimin e kapaciteteve administrative të vendit në funksion të procesit të integrimit. “Diskutuam për atë se si modeli francez i koordinimit ndërresorial mund të jetë referencë për ne, veçanërisht në pjesën e skriningut dhe menaxhimit me reformat”, njoftoi Murtezani, duke shtuar se u trajtuan edhe programet Expertise France dhe FASP, si dhe mundësitë për shfrytëzim të instrumenteve të reja përmes agjencive AFD dhe Proparco.
Murtezani e cilësoi takimin si një mundësi të shkëlqyer për të avancuar koordinimin e proceseve evropiane, për të rritur efikasitetin e administratës dhe për t’u përgatitur për fazën e ardhshme të negociatave me BE-në. “Me partneritete siç është kjo, ne po ndërtojmë shtet evropian në vend”, përfundoi ministri.