
Nafie Selmani kritikon VLEN-in: Nuk ju votuam për përsëritje as për zëvendësim, por për ndryshim
Nafie Selmani, ish-anëtare në VLEN dhe aktiviste e shoqërisë civile, ka reaguar ashpër në një postim publik lidhur me punësimet e bëra nga kjo forcë politike pas ardhjes në pushtet, shkruan Flaka Media.
“Katorëmbëdhjetë muaj pas ardhjes në pushtet, publiku bombardohet me lajme për ‘arritjet’ e VLEN-it, kryesisht përmes mediave që i kontrollojnë dhe në rrjetet e tyre sociale me tituj si: ‘Tre punësime dhe pesë avancime në filan institucionin’,” shkruan Selmani.
Ajo kritikon mënyrën se si drejtuesit e partisë e përdorin këtë për propagandë:
“Kryetarë partish që pretendojnë të jenë liderë dhe bartës të proceseve të mëdha politike, ekonomike e kulturore, janë shndërruar në militantë partiakë dhe mburren publikisht e pa u turpëruar me punësimin e ndonjë mësueseje, mjekeje apo referenti. Jo vetëm kaq, por i detyrojnë punësuarit të pozojnë para kamerave… pa pasur as minimumin e konsideratës për dinjitetin dhe integritetin njerëzor të tyre.”
Selmani thekson se “Premtimi për Ndryshim”, “Meritokracia” dhe “Profesionalizmi” të cilat VLEN-i i kishte shpallur me zë të lartë para zgjedhjeve, nuk janë përmbushur. Sipas saj, shumica e punësimeve janë për “nipër, djem, baxhanakë, tezakë, jarana e jaranesha të tyre”, ndërsa qytetari dhe aktivisti i zakonshëm “ende pret Ndryshimin”.
“Dhe, ky Ndryshim do të vijë, me ose pa dëshirën e kryetarëve të VLEN-it, sepse asgjë nuk mund të mbulojë zhgënjimin që ata vetë e kanë shkaktuar,” shkruan ajo, duke shtuar se “një ditë do t’u duhet ta ulin kokën… për Shpresën që thyen, për Premtimin që nuk e mbajtën, për Ndryshimin që nuk e sollën.”
Në fund, Selmani thekson:
“Nuk ju votuam për Përsëritje as për Zëvendësim, por për Ndryshim!” Flaka Media