
Nafie Selmani me letër publike për Kurtin – Kritika për deputetin Bekim Qoku
Ish-kandidatja për deputete nga radhët e Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, Nafie Selmani, i është drejtuar me një letër publike kryeministrit të Kosovës dhe liderit të VV-së, Albin Kurti, për të shprehur shqetësimet e saj rreth mënyrës se si po përfaqësohet Lëvizja në vendin fqinj, përkatësisht nga deputeti dhe këshilltari i Kurtit, Bekim Qoku, përcjell Flaka
“Me këtë letër dëshiroj të parashtroj disa shqetësime të sinqerta lidhur me mënyrën e përfaqësimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut, konkretisht me veprimtarinë e deputetit dhe njëkohësisht këshilltarit tuaj, z. Bekim Qoku”, shkruan Selmani.
Ajo thotë se ka pranuar të kandidojë për VV-në me bindjen se po i shërbente një ideali të drejtë. “Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pranova me përgjegjësi dhe besim ta përfaqësoj Lëvizjen Vetëvendosje, duke besuar fort në mesazhin e saj për një ndryshim të thellë dhe cilësor.”
Por tani, sipas saj, deputeti Qoku jo vetëm që ka dështuar të përfaqësojë këto vlera, por është shndërruar në barrë morale dhe politike për partinë.
“Deputeti Bekim Qoku renditet i dyti në listën e shpenzimeve rrugore nga fondet publike, me mbi 10.000 euro për një periudhë njëvjeçare, pa qenë aspak e qartë se për cilën rrugë bëhet fjalë: Shkup–Tetovë, Shkup–Ohër apo Shkup–Shkup, pasi sipas informacioneve të besueshme, ai banon në Shkup”, thuhet në letrën e saj.
Selmani kritikon edhe mungesën e reagimit institucional të deputetit Qoku lidhur me thirrjet ksenofobike në Kumanovë.
“Përveç disa statuseve në rrjetet sociale, nuk është parë të ketë ndërmarrë ndonjë veprim konkret, as politik, as institucional”, shprehet ajo.
Në fund, Selmani i kërkon Kurtit që të ndërhyjë dhe të mos lejojë që figurat e tilla të njollosin reputacionin e Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut.
“Ju bëj thirrje me respekt të ndërmerrni masa, dhe të mos lejoni që imazhi i ndërtuar me mund e përkushtim, si dhe simpatia që një pjesë e madhe e shqiptarëve në Maqedoni e ushqejnë për ju, të zbehet apo të shkatërrohet nga një deputet, i cili përveç disa punësimeve miqësore e familjare dhe ndonjë statusi në Facebook, nuk po bën asgjë tjetër për shqiptarët këtu”, përfundon letra. Flaka
The post Nafie Selmani me letër publike për Kurtin – Kritika për deputetin Bekim Qoku appeared first on Flaka, në çdo lajm… .