
Nazim Taipi: Nuk ka qeveri të qëndrueshme pa përfaqësim të barabartë të shqiptarëve
Kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi, ka reaguar ashpër ndaj takimeve mes LSDM-së dhe VMRO-së, duke i cilësuar ato si përpjekje për të përjashtuar shqiptarët nga proceset vendimmarrëse në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk do të qëndrojmë duarkryq,” deklaron Taipi, duke paralajmëruar se mesazhet që vijnë nga takime të tilla janë të rrezikshme dhe të papranueshme për shqiptarët. Sipas tij, përpjekjet për të margjinalizuar shqiptarët, qoftë në politikë, administratë, apo në institucionet kyçe të shtetit, janë të dënueshme dhe nuk do të tolerohen.
“Ne nuk do të lejojmë kurrë përjashtimin nga vendimmarrja shtetërore, mospërfaqësimin në ushtri, polici, diplomaci apo kufizimin e gjuhës shqipe,” thekson Taipi, duke shtuar se çdo qeveri që nuk garanton përfaqësim të barabartë është e destinuar të dështojë.
Ai ka bërë thirrje për unitet mes të gjitha partive shqiptare për të mbrojtur dinjitetin politik të shqiptarëve dhe për të garantuar të ardhmen që u takon me meritë.
“Shqiptarët nuk janë dekor. Kush mendon ndryshe, jeton në iluzion,” përfundon mesazhin e tij Nazim Taipi.