
Nazmi Taipi dorëhiqet nga posti i zëvendësdrejtorit të Ndërmarrjes për Rrugët Shtetërore
Nazmi Taipi ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti i zëvendësdrejtorit në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore të RMV-së, pas një reflektimi të thellë mbi pamundësinë për të përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve në kushte që ai i cilëson si të papërshtatshme.
Taipi theksoi se gjatë mandatit të tij ka ndjekur me përkushtim disa projekte strategjike, përfshirë Korridorin 8 dhe rrugët Tetovë–Jazhincë dhe Trebosh–Neproshten. Megjithatë, ai denoncoi zvarritje të qëllimshme dhe mungesë vullneti për investime në zonat shqiptare, si dhe neglizhencën institucionale ndaj gjuhës shqipe.
Ai shprehu mirënjohje për kreun e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dhe njoftoi se do të vazhdojë angazhimin e tij politik me të njëjtin përkushtim.