Ndalohet përdorimi i ujit për pije në Gostivar, janë helmuar mbi 1200 qytetarë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht përdorimin e ujit për pije nga ujësjellësi i Gostivarit, pasi ekzistojnë dyshime se uji mund të jetë i ndotur dhe i pasigurt për konsum.
Vendimi vjen pas një inspektimi në stacionin e pastrimit të ujit në fshatin Vrutok, ku është konstatuar se në gypin kryesor të ujësjellësit ishte vendosur pa leje një pompë që dyshohet se ka futur ujë nga lumi Vardar në sistemin e furnizimit me ujë.
Gjatë kontrollit, specialistët kanë marrë mostra të ujit për analiza laboratorike. AUV njofton se ndalimi do të mbetet në fuqi deri në daljen e rezultateve që do të tregojnë nëse uji është i sigurt për konsum.
Ndërkohë, në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë paraqitur rreth 1.000 deri në 1.200 persona me simptoma si të vjella, diarre, dhimbje barku, temperaturë dhe dobësi.
Nga spitali bëjnë të ditur se gjendja është paraqitur gjatë 3–4 ditëve të fundit dhe se pacientët janë trajtuar në repartet e Infektologjisë, Pediatrisë dhe Urgjencës.
Sipas njoftimit të SPB Tetovë, ekzistojnë dyshime se uji i ndotur është futur në rrjetin e ujësjellësit për të rritur presionin e furnizimit me ujë në qytet. Rasti po hetohet për dyshime për veprën penale “Ndotja e ujit të pijshëm”.
Nga Qendra e Shëndetit Publik në Gostivar bëjnë të ditur se analizat për cilësinë e ujit janë ende duke u zhvilluar dhe rezultatet priten pas përfundimit të procedurave laboratorike.