
Ndërpritet transporti i nxënësve në Strugë, kjo është arsyeja
AA
Një numër i madh i filloristëve të Strugës nga sot mbeten pa transport të organizuar. Kjo për shkak se transportuesit që për vite i kanë dërguar nga shtëpia deri në shkollë, kanë vendosur të mos udhëtojnë, për shkak të, siç thonë, borxheve të mëdha që Komuna e Strugës dhe shkollat i kanë ndaj tyre. Disa nga transportuesit do të kërkojnë paratë përmes rrugës Gjyqit.
Nga nesër pa transport do të mbeten edhe disa nxënës të shkollave të mesme. Transportuesit thonë se problemi është çmimi i ulët, i cili u jepet për çdo nxënës.
“Nga nesër le të paguajnë vetë ose të gjejnë zgjidhje. Le të dërgojë komuna transport. Ky çmim nuk është ndryshuar për 5 vite, ndërsa për 5 vite gjithçka është rritur. Është rritur çmimi i karburantit, i gomave, i vajit, shoferi”, tha Sokole Gjoreski – transportues.
Ata thonë se kanë dorëzuar disa iniciativa te Këshilli i Komunës së Strugës për të korrigjuar çmimet, por deri tani asnjëra prej tyre nuk është shqyrtuar. Vetëm në shkollën e fshatit Dërsllajcë, për transportin e 50 nxënësve borxhi është 393.000 denarë. Për karburant, thotë drejtori Miroslav Razmoski, për 19 ton të konsumuar borxhi është 1.343.276 denarë. Të shqetësuar janë edhe prindërit. Ata po mendojnë për protesta para Komunës së Strugës nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë.
“Nëse nuk gjendet një zgjidhje për problemin, planifikojmë të dalim në një protestë paqësore, të gjithë prindërit që jemi të prekur nga kjo situatë. Por dëgjoj se nuk është vetëm për fshatin tonë, por bëhet fjalë për shumë fshatra të tjera në Strugë dhe mendoj se të gjithë prindërit do të ngrenë zërin kundër kësaj”, u shpreh Aneta Ruseska Tanaskoska – prind.
Nga Sektori i Arsimit në Komunën e Strugës pretendojnë se në disa shkolla transporti sot ka funksionuar, ndërsa aty ku ka pasur problem presin që ditëve në vijim të zgjidhet.
“Shpresojmë në një kompromis me Ministrinë e Arsimit. Nëse jo, mbetemi në qëndrimin se kompetencat duhet të kalojnë nën përgjegjësinë e MASh-it”, njoftojnë nga Komuna e Strugës, Sektori i Arsimit.
Nga MASh thonë se Komuna nuk mund të transferojë kompetenca te ministria.
“Apeluam edhe dje, apelojmë edhe sot që të realizojnë kompetencat e tyre dhe prioritet të kenë nxënësit, duke pasur parasysh se çdo ditë e humbur mësimore vështirë zëvendësohet. Natyrisht, kjo është edhe e paligjshme dhe për mosveprim mban përgjegjësi”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Ditë më parë autoritetet lokale dërguan në të gjitha shkollat e Strugës, një njoftim me të cilin i informojnë se procesin e prokurimit të drurit për ngrohje dhe të karburantit duhet ta kryejnë vetë, ndërsa të gjitha kërkesat për faturat e papaguara dhe paralajmërimet për paditë duhet t’i dërgojnë në Ministrinë e Arsimit./Alsat.mk