Ndërtesës në Çair i bie fasada, rrezikon qytetarët
“Fasada e kësaj ndërtese, e cila është ndërtuar vite më parë nga një kompani private, ka pësuar sërish dëmtime. Pjesët e rëna të fasadës në këtë banesë kanë ngritur shqetësime tek banorët nga ku po kërkojnë një zgjidhje konkrete”.
Në ndërtesën në rrugën Metodija Mitevski 12/3 në Fushë Tophan në Shkup , banorët përballen sërish me të njëjtin problem. Pas disa vitesh nga riparimi, fasada e kësaj ndërtese ka pësuar sërish dëmtime. Rënia e pjesëve të saj para ca ditësh ka ngritur shqetësime për sigurinë e banorëve dhe kalimtarëve, të cilët kërkojnë një zgjidhje më të qëndrueshme, nga ku thonë se tashmë ndihen të pasigurt përballë një problemi që po përsëritet.
Situatën e rënduar nga rënia e fasadës e përshkruan edhe Enver Gashi, banor i kësaj ndërtese, i cili jeton si mërgimtar në Zvicër. Ai thotë se është tmerruar me gjendjen e ndërtesës, dhe thotë se duhet rreagim i menjëhershëm nga organet kompetente.
Enver Gashi, banor dhe mërgimtar nga Zvicra
“U tmerrova kur e pashë situatën, ishte një katastrofë elementare mund ta quaj pasi erërat e forta e rëzuan fasadën. U habita shumë. Pas 3-4 ditësh e kuptova edhe me një fqinj timin reaguam menjëherë vendosëm një shenjë ‘mos kalo’ këtu, por nuk është aq efikase, presim diçka prej organeve komunale ose zjarrëfiksave të reagojnë menjëherë. Ka mbetur edhe një pjesë e fasadës lart që është rrezik permanent për qytetarët që kalojnë këtu”.
Ai thotë se përveç rrezikut që paraqet pjesa e mbetur e fasadës, është habitur edhe nga neglizhenca e organeve komunale.
Enver Gashi, banor dhe mërgimtar nga Zvicra
“Po, po rreziku egziston pasi shihet qartë që fasada është e çarë lart dhe nuk dihet në ç’farë momenti mund të bie, në ç’do moment, në ç’do sekond prandaj kisha apeluar që të mos kalohet, të respektohet kjo shenjë përderisa të ndërmeret diçka dhe më habiti neglizhenca e organeve komunale, të cilat, banorët kanë rreaguar tek ata, por nuk kanë ndonjë përgjigje, nuk kanë ndonjë përgjigje pozitive. Unë nuk jam i informuar për atë, mirëpo banorët më kanë treguar se kanë reaguar tek organet kompetente, mendoj se kanë 1000 probleme të cilat nuk mund ti zgjedhin, prandaj ky është një problem ndër më të vegjlit”.
Ai thotë se kjo është hera e dytë që një problem i tillë përsëritet dhe thekson se është i zhgënjyer nga puna e kompanive që, sipas tij, nuk e kanë marrë me seriozitet riparimin e fasadës, pavarësisht investimit të bërë nga banorët.
Enver Gashi, banor dhe mërgimtar nga Zvicra
“Jo nuk pres më pasi kjo është hera e dytë që po ndodhë, para 10 vitesh diku ka ndodhur e njejta gjë, dmth kompanitë që punojnë nuk e bëjnë punën me seriozitet dhe qëllimi i tyre vetëm shkel e shko, të marin të hollat dhe ta hjekin përgjegjësinë prej vetvetës, kështuqë jam i dëshpëruar, nuk mund të investojmë më, atëherë paguam diku nga 600 euro për ç’do banesë dhe ja tash rezultati. Jo brenda nuk ka për fat të mirë, edhe këtu nuk ka pasur për fat asnjë dëm, por rreziku egziston”.
Për këtë rast kërkuam përgjigje edhe nga Komuna e Çairit, prej nga thonë se bëhet fjalë për një objekt kolektiv dhe se mirëmbajtja e hapësirës përreth është kryer nga ekipet e tyre. Megjithatë, sipas komunës, ata nuk kanë ingerenca për të ndërhyrë në riparimin e fasadës së ndërtesave kolektive.
Komuna e Çairit
“Shërbimet komunale kanë dalë në terren dhe gjatë ditës së djeshme është bërë pastrimi i materialit të rënë, me qëllim eliminimin e rrezikut të menjëhershëm për kalimtarët. Sqarojmë se bëhet fjalë për një ndërtesë kolektive, ndërsa mirëmbajtja dhe sanimi i fasadës nuk është në kompetencë të Komunës së Çairit”.
Edhe pse nga Komuna thonë se bëhet fjalë për një ndërtesë kolektive dhe se nuk kanë ingerenca për riparimin e fasadës, përgjegjësia dhe frika për sigurinë mbetet sërish tek qytetarët. Ndërkohë, edhe banorët që nuk pranuan të flasin para kamerave shprehën shqetësimin e tyre për gjendjen e ndërtesës dhe rrezikun që mund të paraqesë.
Anida Murati /SHENJA/