Ndihmësi trajneri Alesio, zbulon të ardhmën e Antonio Kontes
Janë disa klube të cilat po studiojnë idenë për të bashkëpunuar me 54-vjeçarin, Antonio Konte, mirëpo një sinjal për të ardhmen e tij, e jep ndihmësi i tij historik, Anxhelo Alesio.
Ky i fundit theksoi se Konte po e shqyrton në detaje klubin e radhës dhe synon që të marrë përsipër një projekt të qartë, ndërsa shtoi se tekniku leçez synon që në detyrën e ardhshme të ketë mundësinë e triumfit në Ligën e Kampionëve, për të mos u mjaftuar vetëm me kampionatet që ai i ka fituar në Itali dhe Angli.
“Konte do të shkojë në një klub i cili i jep mundësinë për të luftuar në Ligën e Kampionëve dhe jo vetëm në kampionat. Atij i pëlqen që ta fitojë Ligën e Kampionëve. Çdo ditë të ardhmen e Kontes e lidhin me Napolin, Juven apo Milanin, por të them të drejtën këto janë vetëm zëra mediatikë që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. Nuk ka pasur asgjë konkrete. Unë uroj ta shoh në një klub italian, ose në një klub që i lejon ta fitojë Ligën e Kampionëve. Mendoj se Konte do të bëj një zgjedhje të mirëmenduar dhe do të marrë përsipër një projekt afatgjatë. Të gjithë e dimë se sa i zoti është Konte për të ndërtuar dhe më pas për të fituar”, u shpreh Alesio.