Ndryshimet klimatike po ndikojnë negativisht ndaj mirëqënies së fëmijëve
Ndotja e ajrit, valët e të nxehtit dhe thatësira janë tre rreziqet më të përhapura, të cilat e kanosin shëndetin e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas raporti të ri global të UNICEF-it, të publikuar sot, fëmijët në Maqedoninë e Veriut janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike, të cilat kur shoqërohen me valë të nxehta, thatësira dhe ndotje të ajrit, e prekin shumicën prej tyre.
Raporti mbi rrezikun klimatik ndaj fëmijëve për vitin 2026 konstaton se kërcënimet klimatike tashmë janë të përhapura dhe ndikojnë ndaj shëndetit, zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve në Maqedoninë e Veriut. Raporti tregon se rreth tre të katërtat e fëmijëve përjetojnë thatësirë (73%), gati nëntë në dhjetë fëmijë janë të ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit (87%) dhe pothuajse të gjithë fëmijët (99.9% janë të ekspozuar ndaj ndotjes së dëmshme të ajrit.
Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it
“Fëmijët në Maqedoninë e Veriut rriten në një klimë në ndryshim e sipër, ku për fat të keq nxehtësia ekstreme, thatësira dhe ajri i ndotur janë pjesë e jetës së përditshme. Ndonëse vendi ka vënë në zbatim disa masa të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve, presionet klimatike shënojnë rritje dhe kërkojnë veprime urgjente për zvogëlimin e ndikimit të dëmshëm ndaj shëndetit, arsimit dhe mirëqenies së fëmijëve.”
Raporti në fjalë thekson se në të njëjtën kohë shumica e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut janë të ekspozuar ndaj më shumë se një rreziku klimatik, duke rritur kështu rrezikun e ndikimeve të përkeqësuara ndaj shëndetit, mësimit dhe zhvillimit të tyre të përgjithshëm.
UNICEF-i bën thirrje për veprime urgjente klimatike, të përqendruara te fëmijët në Maqedoninë e Veriut, duke pranuar se fëmijët preken në mënyrë disproporcionale nga rreziqet klimatike, andaj duhet dhënë atyre përparësi gjatë hartimit të politikave klimatike. Sipas tyre, nevojiten veprime të vazhdueshme për t’i ulur më tej emetimet dhe për të trajtuar ndotjen e ajrit, për ta forcuar qëndrueshmërinë e sistemeve shëndetësor, arsimit dhe mbrojtjes sociale për t’iu bërë ballë goditjeve klimatike, si dhe për të siguruar që fëmijët dhe adoleshentët të jenë të pajisur dhe të fuqizuar për të marrë pjesë në zgjidhjet klimatike dhe proceset e vendimmarrjes, të cilat ndikojnë në të ardhmen e tyre.
Anida Murati /SHENJA/