Ndryshon destinimin, Bonuçi drejt transferimit te “gjiganti” turk
Shumë u përfol për një kalim te Roma gjatë merkatos dimërore, por akordi mes palëve nuk u arrit. Leonardo Bonuçi vazhdon të kërkojë për një klub të ri. Dhe në skenë ka dalë mundësia e transferimit në Turqi. Fenerbahce po tenton të sigurojë një marrëveshje me mbrojtësin e njohur italian, i cili nuk dëshiron të qëndrojë më tek Union Berlin.
Shtypi sportiv italian raporton se menaxheri i 36-vjeçarit ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit nga Stambolli. Fenerbahçe po garon me Gallatasarain për fitimin e titullit kampion, trofe që mungon prej vitit 2014. Dhe Bonuçi, i cili ka një eksperiencë të madhe mbi supe, cilësohet si përforcimi perfekt për qendrën e prapavijës.
Shtatë ndeshje ka zhvilluar mbrojtësi italian në Bundesliga gjatë fazës së parë me Unionin, teksa ka shënuar një gol.