Ndryshon kodi i etikës, inteligjenca artificiale u bë pjesë e kodit të gazetarëve
Kodi i ri i Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, i harmonizuar me sfidat bashkëkohore të profesionit, u prezantua sot në Europe House në Shkup. Dokumenti vendos theks të veçantë mbi raportimin e saktë dhe të verifikuar, transparencën, pavarësinë editoriale, mbrojtjen e privatësisë, si dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në gazetari. Instituti Maqedonas i Medias (MIM) dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (JAM) sot promovuan Kodin e ri të Gazetarëve të Maqedonisë, i cili përfaqëson një kornizë të modernizuar për raportim profesional dhe etik të përshtatur ndaj sfidave të
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski, në fjalën e tij theksoi se ky dokument në fakt përfaqëson një “marrëveshje të re midis gazetarëve dhe publikut.
Mladen Çadikovski, Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve
“Kodi aktual ka qenë themeli i gazetarisë për më shumë se 25 vjet, por, bota ka ndryshuar në mënyrë drastike ndërkohë me fluksin e platformave digjitale, algoritmeve dhe inteligjencës artificiale. Në një botë të tillë, ishte logjike të pyesnim nëse parimet e vjetra etike janë të mjaftueshme. Domethënë, vlerat themelore të gazetarisë në vitet 2000 dhe sot nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë. E vërteta, verifikimi i fakteve, pavarësia, interesi publik dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve mbeten, mbi të gjitha, themeli i këtij profesioni” .
Ai tha se kodi i ri, është punuar për më shumë se dy vjet në një proces gjithëpërfshirës me gazetarë, ekspertë dhe organe vetërregulluese, duke krijuar një produkt autentik maqedonas rezistent ndaj presionit. Çadikovski theksoi se gazetarët nuk janë kundër teknologjisë dhe se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizën, përkthimin dhe transkriptimin e dokumenteve, por se ajo nuk do të jetë kurrë një gazetar.
Anida Murati /SHENJA/