Në kuadër të projektit “Libri, dhurata më e çmuar”, Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë i dhurohen 226 tituj të Botimeve nga ALSAR
Fondacioni ALSAR ka zhvilluar këtë të enjte, më 5 mars, një aktivitet kulturor në Prishtinë në kuadër të projektit të tij jetëgjatë, “Libri, dhurata më e çmuar”.
Në Institutin e Historisë “Ali Hadri” është bërë dhurimi i një numri të madh titujsh të Botimeve ALSAR.
Ceremonisë i ka paraprirë takimi i drejtorit ekzekutiv të Fondacionit ALSAR, z. Saimir Rusheku, me drejtoreshën e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, prof. dr. Teuta Shala-Peli dhe një bisedë mes tyre.
E nisur me përshëndetjet e rastit, biseda u përqendrua në mundësitë e bashkëpunimit të dy institucioneve, posaçërisht në fushën e organizimit të konferencave të përbashkëta dhe të shkëmbimit të literaturës.
Dhurata përbëhej nga 226 tituj të Botimeve ALSAR, më së shumti nga fusha e historisë dhe gjuhësisë, që do t’u shërbejnë studiuesve në punën e tyre kërkimore.
Në ceremoni u shprehën falënderimet për këtë kontribut në pasurimin e fondit të bibliotekës së institutit.
Në shenjë vlerësimi, dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” i dhuroi Fondacionit ALSAR disa prej botimeve të veta.


