Në Shkup mblidhen liderët e rajonit dhe përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së
Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë sonte janë mbledhur në Shkup, në kuadër të Samitit të BE-së që do të mbahet ditën e nesërme me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të SHBA-së e BE-së, për rritje ekonomike të rajonit, përcjell TV21. Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka publikuar disa fotografi pas darkës joformale.
“Sonte në një atmosferë miqësore me liderët e Ballkanit Perëndimor konfirmuam pikëpamjet tona për integrimin e rajonit në BE. Vendi i të gjitha shteteve të rajonit është në BE dhe ne kemi potencialin e nevojshëm të lidershipit për të marrë vendime të guximshme për një të ardhme më të mirë. Të gjithë ne – si në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe në Evropë – kemi nevojë për unitet dhe stabilitet”, shkruan kryeministri Kovaçevski.
Në fotografitë e publikuara nga Kovaçevski shihet se i pranishëm është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, presidenti Stevo Pendarovski, zëvendëskryeministri Artan Grubi, ndihmëssekretarit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, Aleksandar Soros dhe drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman.
Ndryshe, plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro. Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.