
Në skajin e botës: Shqiptarët e Alaskës në kufi me Siberinë, jeta dhe dhe ëndrra e tyre e heshtur amerikane
AA
Nga Beqir Sina/INA
Nëse udhëton drejt veriut të egër të Amerikës, atje ku toka ngrin për muaj të tërë dhe drita e diellit është një luks sezonal, do të zbulosh një realitet befasues: Shqiptarë që jetojnë e punojnë në Alaskë, larg prej zhurmës së Nju Jorkut apo qendrave të mëdha shqiptare në SHBA. Ata janë aty, në vendin ku njeriu bashkëjeton me natyrën e egër, me akullin dhe izolimin, por edhe me mundësinë për një jetë më të mirë.
Nga Kërçova në Anchorage
Kryeqendra e këtij komuniteti është Anchorage, qyteti më i madh i Alaskës, me mbi 290 mijë banorë. Rreth 1200 deri në 1300 shqiptarë jetojnë sot aty, të ardhur kryesisht nga Maqedonia e Veriut – Kërçova, Struga, Dibra, Gostivari – por edhe nga Shqipëria dhe Kosova.
Ata punojnë në sektorë të ndryshëm: nga industria e naftës, minierat e arit, e deri te shëndetësia, arsimi, ndërtimi, transporti dhe bizneset e vogla. Ndër ta ka shoferë taksie, pilotë, mjekë, policë, punonjës në banka, madje edhe pronarë restorantesh dhe punishte makinash.
“Jetojmë mirë”, thonë ata, duke shtuar me krenari se kanë ndërtuar një jetë të qëndrueshme në këtë cep të largët të botës. “Alaska Dream”, e quajnë ata – ëndrra që e kanë realizuar në mënyrën e tyre.
“Mirë se vini” në mes të akujve
Shenja më simbolike e pranisë shqiptare në Anchorage gjendet pranë një hoteli luksoz – një skulpturë ari polar, mbi të cilën është stampuar fjala shqip: “Mirë se vjen”, krahas me më shumë se 50 gjuhë të tjera botërore. Një gjest i vogël, por me kuptim të thellë: dëshmi e mikpritjes, kulturës dhe krenarisë që shqiptarët ruajnë edhe në këtë skaj të largët.
Jessi Musliu, një shqiptar i hershëm në Alaska, tregon se kjo frazë pasqyron shpirtin mikpritës të komunitetit, i cili, edhe pse i vogël, është aktiv dhe i lidhur në mënyrë të veçantë me origjinën e tij.
Shpërndarë në akull
Përtej Anchorage, shqiptarët janë të shpërndarë në qytete të tjera si Fairbanks (20–25 familje), Bethel (10–15 familje), Nome, Gambell, e deri në Wales, një fshat në skajin perëndimor të Alaskës, vetëm disa kilometra larg nga Rusia.
Në Bethel, një qytet i vogël por i rëndësishëm për transportin rajonal, shqiptarët janë të njohur për punën si taksistë dhe ndërtues. Njëri prej tyre, një shqiptar nga Korça, është bërë i famshëm për ndërtimin e shtëpive mbi moçal ose mbi shtresa të ngrira. Po aty përmendet edhe figura e Bilal Selmanit, taksistit shqiptar që punon në Bethel prej vitit 1977 dhe është i njohur në komunitetin lokal si “Lincolni”.
Në Nome, një nga qendrat më të izoluara në Alaskë, jetojnë rreth 4 familje shqiptare nga Tirana, të punësuar në administratën lokale. Edhe në Wales, një vendbanim indigjen buzë ngushticës së Beringut, jetojnë disa shqiptarë që e kanë zgjedhur jetën në ekstrem – ku edhe ndërtesat janë të përbashkëta dhe furnizimet bëhen vetëm me avion.
Harresë nga shteti amë
Ajo që bie në sy është mungesa totale e kujdesit institucional nga Shqipëria dhe Kosova. Shqiptarët në Alaskë jetojnë të organizuar sipas lidhjeve krahinore dhe familjare, por asnjë përfaqësues shtetëror nuk ka shfaqur ndonjëherë interes për këtë komunitet.
“Askush s’ka ardhur të na pyesë kush jemi, sa jemi dhe çfarë bëjmë”, thotë një prej tyre.
Megjithatë, ata nuk ndihen të harruar mes njëri-tjetrit. Festojnë Ditën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës, organizojnë dasma, diplomime dhe mblidhen për iftare gjatë Ramazanit. Ka madje përpjekje për të krijuar një shoqatë shqiptare në Alaskë, që do t’i lidhte më shumë edhe me komunitetet e mëdha shqiptare në SHBA.
Një jetë mes dimrit të bardhë dhe verës së gjelbër
Shqiptarët e Alaskës thonë se jeta atje është më ndryshe nga sa përfytyrohet. Dimrat janë të gjatë dhe të ftohtë, por verërat janë të bukura, të gjelbëruara dhe të pasura me natyrë të paprekur. Ata e kanë pranuar këtë jetë, duke ruajtur identitetin dhe njëkohësisht duke u integruar plotësisht në shoqërinë amerikane.
Në “fund të botës”, ata nuk kanë humbur rrënjët. Madje, i kanë mbjellë sërish – në borë.(INA)
a.