
Në vend të distancimit, Mickoski lavdëron ndeshjen me kore raciste ndaj shqiptarëve
Pas ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në sallën e saporikonstruktuar sportive në Kumanovë, ku u dëgjuan thirrje të rënda me përmbajtje raciste dhe antishqiptare, kryeministri Hristijan Mickoski ka zgjedhur të lavdërojë atmosferën dhe lojtarët, duke shpërndarë një mesazh simbolik për “luftën për ngjyrat”, shkruan Flaka.
“Ky ndeshje ishte më shumë se një rezultat, ishte një luftë për ngjyrat që i mbani, për emrin që e mbroni dhe për popullin që qëndron pas jush me dashuri dhe respekt,” shkroi Mickoski në rrjetet sociale, duke e portretizuar ndeshjen si një ngjarje kombëtare me ngarkesë emocionale dhe patriotike.
Por, ajo që ka shkaktuar reagime të shumta në opinion është heshtja e tij ndaj koreve raciste dhe kërcënuese që u dëgjuan gjatë ndeshjes, si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “dhoma e gazit”. Mickoski, i cili ishte vetë i pranishëm në sallë, nuk u distancua asnjëherë nga këto thirrje, as në momentin e ngjarjes, e as në deklaratën e tij pas ndeshjes.
Kjo mungesë reagimi është interpretuar nga shumë aktorë politikë dhe qytetarë si një formë e heshtur e legjitimimit të gjuhës së urrejtjes.
“Në vend që të dënojë thirrjet kërcënuese ndaj shqiptarëve, Mickoski e quan këtë ndeshje një luftë për ngjyrat. Kjo është një retorikë e rrezikshme që përforcon ndasitë dhe legjitimon urrejtjen,” tha Gent Aliu, analist politik. Flaka
The post Në vend të distancimit, Mickoski lavdëron ndeshjen me kore raciste ndaj shqiptarëve appeared first on Flaka, në çdo lajm… .