
Nedim Bajrami nderohet me mural në Tetovë, Kasami: Krenaria jonë kuqezi mori vendin që i takon!
Tetova sot nderoi një nga figurat më të dashura të sportit shqiptar, futbollistin Nedim Bajrami, me një mural të veçantë në zemër të qytetit. Ky homazh artistik i është kushtuar djalit të Tetovës, i cili me talentin dhe përkushtimin e tij ka bërë krenarë jo vetëm qytetin e lindjes, por mbarë shqiptarët.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka ndarë lajmin në Facebook. “Nedim Bajrami, djali i Tetovës dhe krenaria e Shqiptarëve, sot mori vendin që i takon në zemrën e qytetit të vet—një mural me zemër, e një zemër kuqezi!”, ka shkruar Kasami.
Murali, i vendosur në një pikë simbolike të qytetit, është jo vetëm një shenjë nderimi për arritjet sportive të Bajramit, por edhe një mesazh frymëzimi për të rinjtë që ëndërrojnë të arrijnë majat, pa harruar rrënjët e tyre.
Nisma është pritur me shumë entuziazëm nga qytetarët, tifozët dhe komuniteti artistik, ndërsa vetë Bajrami ishte prezent gjatë këtij manifestimi bashkë me qytetarët tetovarë. Ky akt simbolik vërteton edhe një herë se Tetova di të vlerësojë bijtë e saj që ngrenë lart emrin e saj në botë.