
Nedim Bajrami përfundon në tetëshe falë golavarazhit, eliminohet Beshiktashi
Ndeshjet e fundit të Ligës së Europës kanë dekretuar emrat e 24 skuadrave që do të vazhdojnë rrugëtimin në këtë turne, në kërkim të trofeut të dytë për nga rëndësia në kontinent.
Edhe pse u mund sot nga Braga, Lacio ia ka dalë që të mbajë vendin e parë në renditjen e përgjithshme, ku pas fazës në grupe, ndiqet nga Atletik Bilbao. Mançester Junajtid, Totenhem, Aintraht Frankfurt, Olimpik Lion, Olimpiakos dhe Rejnxhërs janë ekipet që plotësojnë tetëshen e parë e cila shkon direkt në turin e dytë me eliminim direkt.
Për t’u theksuar është prania në tetëshe e Rejnxhërs të Nedim Bajramit, që shkoi atje vetëm falë një golavarazhi më të mirë, pasi kishte 14 pikë, po aq sa Bodo/Glimt, Anderleht dhe FCSB.
Ndërkohë, nga gara ka dalë Beshiktashi që është mundur në ndeshjen e fundit nga Tuente dhe mbeti jashtë 24-shes, ashtu si edhe Hofenhajmi, ndonëse ia doli të fitonte ndeshjen në transfertë ndaj Anderlehtit.