
Nejmar Jr: Duhet të jemi të qetë, Santosi e di dashurinë që kam për këtë klub
Neymar Jr. ka rifilluar të tregojë repertorin e tij si yll i futbollit brazilian që nga momenti kur u kthye te Santosi pas 12 vjetësh nga largimi. Një penallti e realizuar kundër Agua Santa e ka prishur “agjërimin” e gjatë pa gola prej më shumë se një viti, për shkak të një dëmtimi të rëndë në gjurin, që gjithashtu ka ndikuar në eksperiencën e tij në Arabinë Saudite me Al Hilal.
Pas fitores 3-1 në kampionat, Neymar u intervistua për komentet e babait-agjent të tij (“nuk erdhëm këtu për të luajtur vetëm pesë muaj”). “Duhet të jemi të qetë, – tha ai duke qeshur në mikrofonet e “TNT Sports BR”. – Ky është vetëm fillimi i një periudhe të shkëlqyer për Santosin”.
Për sa i përket kontratës, që skadon në qershor, ai shpjegoi: “Nuk doja një kontratë të gjatë, sepse nuk e dija nëse do të kthehesha, nuk e dija si do të ndihesha duke luajtur. Mendoj se çdo gjë mund të ndodhë. Santosi më ndihmoi, më hapi dyert për të rifituar futbollin dhe gëzimin”.
Neymar nuk ishte aq entuziast si babai i tij, por gjithsesi konfirmoi dashurinë për klubin: “Santosi e di dashurinë që kam për këtë klub, respektin që kam. Kur jam në fushë, që është aty ku më pëlqen të jem më shumë, jap 100%. Le ta shijojmë këtë moment, çdo ndeshje. Ky është vetëm fillimi i një periudhe të shkëlqyer për Santosin, jam i sigurt. Santosi do të ngrihet dhe do të kthehet në majë, aty ku e meriton”.
Përfundimisht, për golin e shënuar në kampionatin Paulista: “Jam i lumtur për ndeshjen që bëmë, të gjithë duhet të jenë të lumtur. Ndihem i lumtur sepse po luaj më shumë minuta dhe ndihem se po përmirësohem fizikisht. Është e qartë që nuk jam ende në 100%, sepse kam luajtur vetëm 4 ndeshje, por po përmirësohem”.