Nënshkruhet marrëveshja mes BDI-së dhe Lëvizjes Populli për bashkëpunim
Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja Populli kanë nënshkruar marrëveshje për koalicionim për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionim me BDI-në, kryetari i Lëvizjes Populli, Zejd Rexhepi e ka quajtur si ditë historike.
Sipas tij, sot hapet një kapitull i quajtur Fronti Europian e që tha ai, do mbahet mend gjatë kohë në historinë, sepse ky front do të jetë bartës i ndryshimeve dhe standardeve jetësore.
“Po ky front do të jetë një sihariq se megjithatë ne shoqëria jonë në përgjithësi pa dallime etnike do të jetë në një rrugëtim të mirë dhe pa dyshim në rrugëtimin europian. Ky front evropian është një nisëm që do të jetë me këmbë të mbarë dhe do të dëshmoje se ne i kemi synimet në punë dhe vepra afatgjate”, tha Zejd Rexhepi nga Lëvizja Populli, raporton SHENJA.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim me Lëvizjen Populli, deklaroi se pas 23 viteve ata kaun arritur gradualisht që ëndrrën e një fronti të përbashkët, ngase siç tha ai, gjërat e mëdha nuk bëhen vetëm.
“Përse në vitin 2024 duhet ndërtuar ky front. Pse unë dhe Skender Rexhepi duhet të vendosim mbi atë parcialen të përgjithshmen, sepse janë kohë që pikërisht e kërkojnë këtë unifikim të shqiptarët në Maqedoni. Sepse gjërat në politikën globale po shkojnë keq, sepse gjërat në politikat e ndërtimit të shtetit, ne nuk kemi asgjë kundër partive politike, rrofshin e qofshin, por nuk kanë kapacitetet të përballen me gjitha këto zhvillime, që po ndodhin tek ne rreth nesh dhe më larg se ne”, tha Ahmeti.
Ahmeti shtoi se për këtë shkak këtij shteti i duhet unifikim dhe bashkim.
Koalicionimi për Frontin Europian pritet që të zgjerohet edhe me parti të tjera.