
“Nëse beson, gjërat e pamundura mund të bëhen të mundura”
Xhian Piero Gasperini ishte shumë i kënaqur pas fitores 4-0 në “Allianz Stadium”: “Në futboll kalohet nga fitoret në humbje. Juve vinte nga pesë fitore radhazi dhe ndeshja e sotme ishte e paimagjinueshme, por perfekte për ne.
Luhatjet janë normale gjatë sezonit, këto fitore i ndihmojnë të gjithë për të gjetur formën më të mirë, – shtoi trajneri i Atalantës për DAZN, duke folur edhe rreth zgjedhjes së tij për ta nisur ndeshjen me Cuadrado në vend të De Ketelaere.
– Për ne ishte e qartë që java pa ndeshje na dha pak energji, pas shumë kohësh kemi pasur dy javë normale stërvitjeje dhe të gjithë ishin në formë. Madje që në pjesën e parë mund të shkonim në 2-0, pastaj Juventusi e humbi pak moralin.
Të ëndërrosh është diçka e bukur, nuk duhet t’ua heqësh njerëzve të drejtën për të ëndërruar. Titulli është diçka e pamundur, por ndonjëherë, nëse beson fort, mund të bëhet i mundur. E dimë që Interi dhe Napoli janë shumë të fortë dhe nuk humbin kurrë. Me Interin kemi shtatë humbje radhazi, ndaj asnjëherë nuk kemi qenë në garë për titullin”.