Nëse largohet nga Barça, Gundogan preferon rikthim te Mançester Siti
E ardhmja e Ilkaj Gundogan në Barcelonë është aktualisht në ajër. Pavarësisht se mesfushori gjerman ka një kontratë me Barçën deri në qershor të 2025-ës dhe të afërmit e tij sigurojnë se Gundogan nuk ka ndërmend të largohet, e vërteta është se pasiguria rreth gjermanit vazhdon të rritet.
Sipas “Catalunya Ràdio” në programin e saj “TdT”, duke cituar burime të Barçës, Gundogan thuhet se i ka kërkuar klubit të largohet dhe se ditë më parë ai kontaktoi Man. Sitin, ekipin e tij deri në verën e kaluar, për të deklaruar rikthimin e tij në Ethiad Stadium. I njëjti informacion detajonte se skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola do të ishte e hapur për të përfunduar operacionin për të rikthyer Gündogan, një sezon pasi ai u largua.
Paraqitja e fundit e gjermanit me “qytetarët” ishte finalja e Ligës së Kampionëve 2022-2023 kundër Interit, ku luajti 90 minutat dhe ngriti trofeun si kapiten i skuadrës së Mançesterit. Në fakt, ‘qytetarët’ u përpoqën të mbanin Gündogan deri në momentin e fundit, por gjermani më pas zgjodhi të nënshkruajë me Barçën.