
Nga 13% në 44.4% përfaqësim shqiptar në vetëm një konkurs në NOMAGAS
Shoqëria Aksionare për ushtrimin e veprimtarisë energjetike “NOMAGAS” Sh.A., në pronësi shtetërore dhe me seli në Shkup, ka shpallur rezultatet e konkursit publik nr. arkivor 04-2023/6, përmes të cilit janë hapur 18 vende të reja pune.
Lajmi më i rëndësishëm është përfshirja e 8 të rinjve shqiptarë në këto pozita, një zhvillim domethënës që shënon një hap të qartë drejt përfaqësimit të drejtë dhe barazisë në sektorin publik.
Drejtori i NOMAGAS-it, Muhamed Elmazi, ka bërë të ditur se kandidatët Ajrullahu, Nuhani, Besiri, Muzaferi, Ismaili, Ridvani, Shabani dhe Bujari janë pjesë e emrave të rinj që do të nisin rrugëtimin e tyre profesional në këtë sektor strategjik të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 2002–2024, nën qeverisjen e BDI-së janë bërë gjithsej 84 punësime në këtë institucion, prej të cilave vetëm 11 kanë qenë shqiptarë, përfaqësim prej 13.1%.
Ndërkaq, që nga ardhja në pushtet e VLEN-it, vetëm brenda 9 muajve të fundit janë punësuar 8 shqiptarë, duke e rritur përfaqësimin në 18.6%.
Në konkursin më të fundit, shqiptarët përfaqësojnë 44.4% të vendeve të punës, çka vlerësohet si një ndryshim i dukshëm dhe i mirëpritur drejt barazisë së vërtetë në institucionet shtetërore. “Ky është ndryshimi që bën dallimin”, ka theksuar Elmazi duke shtuar se VLEN kujdeset për përfaqësimin e drejtë.