
Nga podiumi në Kanada, te bankat e shkollës dhe provimet e maturës
Ndryshe nga shumica e pilotëve të Formula 1 që parakaluan në tapetin e kuq të premierës së filmit “F1” me Bred Pitin, Kimi Antonelli mungoi – për një arsye të fortë, ishte në bankat e shkollës, duke dhënë provimet e maturës. Piloti 18-vjeçar italian, një nga talentet më premtues të gjeneratës së re, sapo ka përfunduar provimin e parë me shkrim në gjimnazin “Salvemini” në Kasaleçio. Me buzëqeshje dhe qetësi, ai u ndal për të folur me gazetarët pas provimit.
“Isha mjaft i tensionuar, por bëra më të mirën time dhe mendoj se shkoi mirë ”, tha Antonelli.
Ai tregoi se kishte zgjedhur të shkruante mbi temën e ngjarjeve aktuale, me fjalën kyçe “respekt”.
“Për natën para provimit? “Dëgjuam Venditti-n me miqtë dhe festuam për kampionatin e Virtus”, zbuloi ai.
Ndërkohë, në pistë, Antonelli është gjithashtu në qendër të vëmendjes. Vetëm pak ditë më parë, ai arriti të ngjitej në podium në Çmimin e Madh të Kanadasë, në krah të shokut të tij të skuadrës te Mercedesit, Xhorxh Rasell dhe kampionit të Botës në fuqi, Maks Verstapen./Topchannel/