
Nga Prekazi te Rugova e Demaçi – Dimal Basha përkulet para themeluesve të lirisë
AA
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha bashkë me nënkryetaren, Albulena Haxhiu kanë bërë homazhe në Prekaz.
Basha përmes rrjetit social Facebook tha se heroizmi i heroit, Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, transmeton KosovaPress.
“Heroizmi i Komandantit Adem Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, është themeli mbi të cilin u ngrit çlirimi dhe pavarësia e Kosovës. Prekazi mbetet përjetësisht burim frymëzimi për vetëdijen tonë kombëtare, për unitetin dhe përkushtimin tonë ndaj atdheut”, ka shkruar ai.
Basha poashtu bëri homazhe pranë varrit të presidentit, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit, Adem Demaçi. Homazhet Basha i përfundoi para Memorialit “Heroinat”.
“Pas Prekazit heroik, vazhdova me nderime në vendin ku pushon Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili shtriu rrugën drejt shtetësisë sonë dhe e kishte të qartë se kompromisi i vetëm ishte Pavarësia, dhe asgjë më pak.Më tej, nderimet i vazhdova te varri i Bacës Adem Demaçi, një nga pishtarët më të ndritshëm të lirisë, shembull i një qëndrestari të paepur i cili guxoi gjatë tërë jetës së tij. Burgimi i tij shërbeu si simbol i rezistencës për popullin tonë, që pastaj u vlerësua edhe me Çmimin Sakharov, ndarë nga Parlamenti Evropian në vitin 1991”, ka shkruar Basha.
Kujtojmë se Basha së fundmi u akuzua për një punim në bashkautorësi me Jana Arsovska, në të cilin flitet kundër UÇK-së.
Basha u distancua nga punimi duke thënë se ka shkruar vetëm për kapitullin 3 në të cilin flitet për islamin fundamentalist në Kosovë.
Kryeparlamentari tha se e konsideron të shenjtë luftën e UÇK-së dhe për të nuk ka shkruar asnjëherë as edhe një fjalë kundër.