Ngjarja e Maliqit, psikologët apel prindërve: Ka plot raste që kalojnë pa denoncim
Ngjarja e fundit në Sheqeras të Maliqit ku një vajzë e mitur ishte abuzuar seksualisht për vite me radhë, nga një mik I familjes, tërhoqi vëmendjen e opinionit publik.
Sipas psikologëve që punojnë me të mitur abuzimet seksuale janë shumë të përhapura në vend, por për to flitet fare pak. Në pjesën më të madhe, raste të tilla mbahen të fshehura. Po sipas tyre autorët e ngjarjeve të tilla janë kryesisht miq, të afërm apo njerëz shumë të besuar të familjes së viktimës.
“Mund të ndodhë që një i rritur mashkull i familjes, i shoqërisë më të ngushtë, të abuzojë një vajzë apo një djalë të moshës 10, apo 12-13 vjeç, e prek në vende intime, e fton në sjellje të pahijshme dhe fëmija nuk e kupton se çfarë po ndodh, ndihet keq, ndihet fajtor dhe nuk e shpreh kurrë në familje që po ndodh kjo gjë. Ose ka situata të tjera kur një familjar e bën këtë ngacmim dhe fëmija nuk flet që të mos krijojë probleme ndërfamiljare dhe kjo e bën të mos shprehet kurrë. Por kur vijnë në seanca terapie tek ne, gjatë punës me ta, zbulojnë arsyen e problemeve që ata po përjetojnë, rrëfehen, dorëzohen dhe tregojnë me detaje ngjarjen”, shprehet Adelina Pjetra, Psikologe Klinike.
Ngacmim seksual nuk është vetëm penetrimi, por edhe prekja në vende intime apo të shprehurit në mënyrë të papërshtatshme, sjellje devijante që janë me natyrë seksuale, por që lënë një gjurmë shumë të thellë në psikikën e individit, fëmijës.
Shenjat që tregojnë se fëmija ka një problem që po e mundon, janë tërheqja e tij në dhomë, në vetmi, nuk rri më me familjen për të parë një film apo të hajë një vakt, mban telefonin me kod, të fshehur, refuzon dhe nervozohet kur ia prekin. Megjithatë prindi duhet ta ushtrojë herë pas here një kontroll në rrjetet sociale të fëmijës së tij.
Shenja të tjera janë që fëmijët largohen nga orët e mësimit, ose nuk kanë dëshirë të shkojnë në shkollë, hanë më pak apo neglizhojnë ushqimin, bien në peshë, humbasin përqendrimin, flenë vonë, dhe pak orë dhe e kanë të vështirë t’u hapen prindërve, të cilët mund t’i gjykojnë dhe do të merren në pyetje se çfarë të mungon ty që do të shkosh tek psikologu, Por që në fakt kur ata e kërkojnë takimin me psikologun, kjo vetëm do t’i çlironte nga ajo barrë dhe peshë që mbajnë përbrenda./Top Channel