
Ngjarje e rende ne vend, ka viktima
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Përpellac të Podujevës, ku një person është gjetur i pajetë në rrethana ende të paqarta.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka dhënë detaje për Zeri.info lidhur me rastin.
“Rreth orës 18:30 kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në fshatin Përpellac të Podujevës. Vdekjen e viktimës, i cili është mashkull, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes,” deklaroi Ahmeti.
Sipas saj, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka hapur menjëherë një hetim për të sqaruar shkakun dhe rrethanat që çuan në vdekjen e viktimës. Aktualisht po ndërmerren veprime të detajuara hetimore dhe ekzaminime mjeko-ligjore për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rastit.
Banorët e zonës raportojnë se janë tronditur nga ngjarja, teksa pritet që pas hetimeve të para të jepen detaje më konkrete mbi shkaqet e vdekjes.
Autoritetet kanë theksuar se të gjitha procedurat e nevojshme ligjore janë duke u ndjekur dhe se publiku do të njoftohet sapo të ketë informacione të reja zyrtare.