Niko Uiliams shpjegon arsyen e qëndrimit tek Atletik Bilbao
Ylli i Atletik Bilbao-s, Niko Uiliams, ka folur për vendimin e tij për të qëndruar në klub, pavarësisht interesimit të Barcelona-s, Çellsit dhe Paris Sen Zhermenit. Uiliamsi shijoi një sezon të shkëlqyer me Atletik Bilbao vitin e kaluar duke kontribuar me tetë gola dhe 19 asiste në 37 ndeshje.
Ai gjithashtu luajti një rol kyç për Spanjën në triumfin e arritur në “Euro 2024”, duke shënuar dy herë dhe duke dhënë një asist në gjashtë ndeshje. 22-vjeçari tani ka folur për vendimin e tij, duke këmbëngulur se ndërsa ishte i kënaqur nga vëmendja e klubeve të mëdha, ai donte të qëndronte në klubin e tij të fëmijërisë.
“Zemra ime është Bilbao, por askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Është gjithmonë mirë kur të duan skuadra të mëdha. Por gjithmonë kam thënë se doja të isha këtu.
Nëse kishte ndonjë gjë, ishte nga menaxheri im. Por unë doja të luaja në Europë me Bilbaon,” tha mes tjerash Niko Uiliams.