Nis merkatoja zyrtare në Maqedoni, lojtarë nga pesë vende nuk quhen më të huaj
Merkatoja dimërore për klubet e futbollit në Maqedoninë e Veriut hapet sot, më 15 janar, dhe tashmë punohet shumë për realizimin e iniciativës, që futbollistët e vendeve të rajonit të mos trajtohen si të huaj në Maqedoni. FFM-ja, në konsultim me organet kompetente lidhur me ligjet e marrëdhënieve të punës, është në kërkim të mënyrës që kjo kërkesë të realizohet sa më shpejt dhe me iniciativën e lojtarëve të Ligës së Parë, të cilët kanë pasur një takim me presidentin Muhamed Sejdini para Vitit të Ri.
Sipas njoftimeve, lojtarët nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk do të konsiderohen si të huaj në vend. Një njoftim i tillë është i pritshëm dhe një lloj reciprociteti, duke qenë se në vendet e përmendura futbollistët nga Maqedonia e Veriut tashmë prej disa vitesh luajnë si lojtarë vendor. Për momentin, çdo skuadër e Ligës së Parë në Maqedoninë e Veriut ka të drejtën e 4 lojtarëve të huaj pa paguar kuota regjistrimi në FFM, dhe ka mundësi për 4 të huaj shtesë, por për secilin paguhet nga 5.000 euro deri në 20.000 euro për të tetin.
Një vendim i tillë do të ishte shpëtim për disa klube, dhe realiteti është se shumica e lojtarëve ndërkombëtarë që luajnë për klubet në Maqedoni janë nga vendet e përmendura. Nga ana tjetër, do të reduktohej fondi që paguhet për shumicën e të huajve, fond që ishte menduar për zhvillimin e futbollit të të rinjve në vend./Panoramasport/