Nisma e PDK-së për Specialen, ky është qëndrimi i Aleancës?
Aleanca ka deklaruar se mbështet çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në reagimin e saj, Aleanca thekson se lufta e popullit të Kosovës për liri, e udhëhequr nga UÇK-ja, ishte e drejtë dhe shpreh bindjen se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të dalin të pafajshëm.
Sipas Aleancës, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë gjithçka që procesi të përfundojë me drejtësi të plotë.
Reagimi i plotë:
Aleanca, duke mbetur konsistente me qëndrimin e saj institucional që nga fillimi, mbështet çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.
Duke besuar thellë se lufta e popullit të Kosovës për liri, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme, qëndrojmë fuqishëm në bindjet tona dhe besojmë se në fund të këtij procesi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të dalin të pafajshëm. Për ta arritur një gjë të tillë, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë gjithçka që ky proces të përfundojë ashtu siç duhet, me drejtësi të plotë.