Një eksperte sllovene dëshmoi për terapitë të papërshtatshme në rastin “Onkologjia”, gjykimi vazhdon nesër
Në Gjykatën Penale Themelore në Shkup sot ka vazhduar gjykimi për rastin “Onkologjia”, në të cilin ish-drejtori i Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji, Nikolla (Nino) Vasev, së bashku me dy onkologë të tjerë, akuzohet për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve.
Në seancën e sotme dëshmoi ekspertja sllovene Maja Ravnik, e cila paraqiti analizën e saj lidhur me rezultatet mjekësore dhe terapitë e aplikuara tek disa pacientë.
Sipas saj, në një rast janë evidentuar tre diagnoza të ndryshme, ndërsa pacientja është trajtuar njëkohësisht për kancer të rektumit dhe kancer të gjirit, pa konfirmim të qartë për formën aktive të sëmundjes.
Ravnik theksoi se në rastet kur ekziston dyshimi për përparim të kancerit primar apo për praninë e dy kancereve primare, është e domosdoshme të përcaktohet saktë se cili kancer është aktiv dhe të trajtohet pikërisht ai. Ajo nënvizoi rëndësinë e marrjes së materialit të ri përmes biopsisë së metastazave, me qëllim konfirmimin nëse bëhet fjalë për përsëritje të kancerit primar apo për një lloj tjetër kanceri, si dhe nevojën për analiza shtesë molekulare për shkak të ndryshimeve të mundshme biologjike që ndikojnë në përzgjedhjen e terapisë.
Ekspertja theksoi gjithashtu se tek një pjesë e pacientëve është aplikuar imunoterapi pa analiza paraprake molekulare, gjë që, sipas saj, është e papërshtatshme dhe ka çuar në progres të sëmundjes.
“Duke marrë parasysh terapinë primare dhe përshkrimin e gjendjes së pacientes, mund të konkludohet se terapia e vendosur ka qenë e papërshtatshme. Sëmundja nuk ka qenë nën kontroll dhe kjo ka sjellë përkeqësim të mëtejshëm dhe progres”, deklaroi Ravnik.
Në dëshminë e saj u përmendën edhe raste kur pacientëve u janë dhënë ilaçe pa indikacion për llojin konkret të karcinomit, si dhe raste të administrimit të kimioterapisë në fazën terminale të sëmundjes.
Nga ana tjetër, mbrojtja kundërshtoi metodologjinë e ekspertizës. Avokati i të akuzuarit të parë, Bobi Spirkovski, deklaroi se disa nga konkluzionet e ekspertizës sllovene janë në kundërshtim me parimet themelore të ekspertizës mjekësore dhe ligjore.
Ai theksoi se nuk mund të merret si bazë vetëm fleta e lëshimit në ditën e vdekjes së pacientit për të konstatuar se terapia e dhënë një ditë më parë ka shkaktuar përkeqësim apo vdekjen. Sipas tij, mjeku në momentin e dhënies së terapisë nuk mund të parashikojë me saktësi kohëzgjatjen e jetës së pacientit.
Avokati shtoi se çdo ekspertizë duhet të mbështetet në protokollet dhe ligjet kombëtare, e jo ekskluzivisht në standarde evropiane apo ndërkombëtare.
Në këtë rast, përveç Vasevit, të akuzuar janë edhe onkologët Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski. Procedurë është zhvilluar edhe ndaj onkologes Meri Peshevska, e cila pranoi fajësinë dhe u dënua me dy vjet burgim me kusht.
Sipas aktakuzës, mjekët akuzohen për vazhdim të “krimeve të rënda kundër shëndetit të njerëzve” dhe për “trajtim joadekuat”, me çka 29 pacientë dyshohet se janë trajtuar me terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes së tyre shëndetësore.
Ndërkohë, Vasev dhe ish-drejtori ekonomik i Klinikës përballen edhe me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim, me dëm të pretenduar prej mbi 2,2 miliardë denarësh ndaj buxhetit të shtetit.
Gjykimi vazhdon nesër me procedurën dëshmuese. Çështjen e udhëheq gjykatësja Snezhana Markovska.