Një i punësuar në shkollën e Manastirit dyshohet për pornografi me fëmijë
Prokuroria Themelore Publike e Manastirit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e një procedure hetimore ndaj një 31-vjeçari nga Manastiri, i dyshuar për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së materialeve pornografike me fëmijë.
MARKETING

Nga Prokuroria bëjnë të ditur se rasti është pjesë e një hetimi ndërkombëtar për keqpërdorimin e fëmijëve në internet, i cili ka rezultuar nga një aksion i udhëhequr nga Policia Federale Australiane.
Sipas njoftimit, procedura është iniciuar pas veprimeve parahetimore të realizuara nga Prokuroria Publike në koordinim me SPB Manastir dhe Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Dixhitale në Shkup. Hetimi ka nisur pas një raporti të autoriteteve australiane, të cilat më herët kanë zhvilluar një operacion për identifikimin e faqeve që shpërndajnë materiale që përmbajnë abuzim me fëmijë.
Autoritetet australiane kanë identifikuar përdorues të ndryshëm përmes adresave IP dhe të dhënave elektronike, disa prej të cilëve ndodhen në Maqedoninë e Veriut. Për këto raste është dërguar njoftim tek institucionet vendore përkatëse.
Nga Prokuroria njoftojnë se kontrolle janë duke u zhvilluar edhe në Shkup dhe qytete të tjera, me qëllim verifikimin e plotë të të dhënave të siguruara në kuadër të hetimit.
Ndërkohë, në Gjykatën Themelore të Manastirit është paraqitur propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.