
Një tjetër klub hyn në garë për Armando Brojën
Armando Broja pritet të bëjë “hapin e madh” në karrierë sezonin e ardhshëm, ku nisja e një aventure të re larg “Bluve” të Çellsit do të përkthehej në një mundësi për të treguar potencialin e tij të vërtetë.
Pas “verdhezinjve” të Borusia Dortmund, “Djajve” të Milanit, francezëve të Monako-s, si dhe anglezëve të Evertonit dhe Uest Hemit, tashmë një tjetër klub, goxha i njohur, në “kontinentin e vjetër” kërkon shërbimet e 22-vjeçarit shqiptar, me këtë të fundit që shihet si opsioni perfekt për të forucar në maksimum repartin e sulmit.
Bëhet fjalë për gjermanët e Volfsburg, teksa sipas raportimeve më të fundit të mediave, tekniku Ralf Hazenhuttl e kërkon me ngulm “legjionarin”, te skuadra e tij, pasi nën drejtimin e teknikut austriak, Broja pati edhe “shpërthimin e madh”, në kohën kur ishte i huazuar te Sautemptonin, ku shënoi 9 gola, në 38 sfidat e Premier Ligw, teksa ishte vetëm 20 vjeç.
Në atë kohë, austriaku ishte i lidhur shumë me Brojën dhe i kërkoi “shenjtorëve”, që ta blinte por kjo nuk u realizua, gjithsesi, konkurrenca për Brojën është e madhe, pasi siç theksuam edhe më lart klube të mëdha janë vënë pas tij, ndërsa lëvizje konkrete kanë bërë “kuqezinjtë” e Milanit, të cilët kanë dërguar përfaqësues të klubit në Londër, si dhe “blutë” e Evertonit.