
Një vit Qeveri reformatore në Maqedoni, Andonovski: Një vit vizion, përkushtim dhe rezultate!
Sot shënohet një vit nga formimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, tha se ka qenë një periudhë e mbushur me sfida, përkushtim dhe rezultate të rëndësishme në procesin e transformimit digjital.
“Ky ishte një vit sfidash. Nisëm nga minus – nga kaosi. Trashëguam institucione ku qytetarët kishin humbur besimin, një shoqëri në gjunjë. Por nuk u dorëzuam. Çdo ditë punuam me mundim, ndershmëri dhe përkushtim. Në transformimin digjital, vendosëm themelet e Maqedonisë SMART. Prezantuam 120 shërbime të reja digjitale, realizuam reforma thelbësore në sigurinë kibernetike dhe hapëm një kapitull të ri për një administratë të lidhur, efikase dhe transparente”, shkroi Andonvoski.
Ai falënderoi qytetarët për besimin dhe theksoi se Qeveria është e përkushtuar që të vazhdojë punën për ndërtimin e një shteti me rend, vlera dhe humanizëm.
“Koha e Maqedonisë po vjen. Një kohë kur shteti do të jetë vend i mundësive, prosperitetit dhe dinjitetit,” përfundoi Andonovski.
Me këtë mesazh, ministri nënvizoi se përpjekjet dhe fitoret e vogla gjatë vitit janë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të mirë për vendin dhe qytetarët.