
Nxënësja nga Kumanova ndër më të mirat në garën kombëtare të eseve
AA
Erina Bajrami nga SHFK “Naim Frashëri” – Kumanovë është njëra ndër nxënëset e shpërblyera për ese më të mirë me rastin e 80-vjetorit të kodifikimit të gjuhës maqedonase standarde.
Eseja e Erina Bajramit u shpall më e mira në kategorinë e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën që ndjekin mësimin në gjuhë tjetër përveç asaj maqedonase. Ajo shkroi mbi temën: “Gjuha maqedonase dhe gjuha ime amtare janë një pasuri që nuk rëndon, por lartëson.”
Këtë vit, gjashtë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme fituan me esetë e tyre në po aq kategori, në kuadër të konkursit me rastin e 80-vjetorit të kodifikimit të gjuhës maqedonase standarde. Konkursi u shpall nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më 5 maj, ditë kur shënohet edhe Dita e gjuhës maqedonase, dhe në të arritën mbi 320 aplikime nga nxënës të klasës së katërt të arsimit fillor deri në vitin e katërt të arsimit të mesëm.
Fituesit e konkursit, sot në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, patën takim me ministren e arsimit dhe shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, e cila u ndau dhurata simbolike.
“Gjuha është shpirti dhe identiteti i një populli, simbol i individualitetit dhe i veçantësisë. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme ta respektojmë dhe të kujdesemi për zhvillimin e gjuhës maqedonase, por edhe të të gjitha gjuhëve tjera në të cilat flasin qytetarët e Maqedonisë. Ju përgëzoj për përkushtimin, për punën e palodhur dhe ju uroj shumë suksese dhe fitore në të ardhmen”, tha ministrja Janevska, duke shprehur kënaqësinë që të rinjtë dëshirojnë të krijojnë dhe të marrin pjesë në gara.
Nxënësit nga klasa e katërt deri në të gjashtën konkurruan me temën “Gjuha ime maqedonase është si ylber, plot ngjyra dhe fjalë”, dhe vendin e parë e fitoi Luka Stojanoviq nga SHFK “Vidoe Podgorec” – fshati Koleshinë, Komuna e Novosellës.
Nxënësit nga klasa e shtatë deri në të nëntën shkruan mbi temën “Gjuha ime maqedonase – identiteti im, trashëgimia kulturore dhe amaneti”, dhe vendin e parë e fitoi nxënësja Iva Josifovska nga SHFK “Goce Dellçev” – Prilep. Në të njëjtën temë, ndër nxënësit e shkollave të mesme (viti i parë deri i katërti), vendin e parë e fitoi nxënësja Tijana Atanasova nga SHMK “Josif Josifovski” – Gjevgjeli.
Nxënësja Riga Kurtaj nga SHFK “25 Maji” – Gazi Babë është fituese në kategorinë e nxënësve nga klasa e katërt deri në të gjashtën që ndjekin mësimin në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, dhe konkurruan me temën “Gjuha maqedonase dhe gjuha ime amtare janë miq.”
Nxënësit nga klasa e shtatë deri në të nëntën që ndjekin mësimin në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes shkruan mbi temën “Gjuha maqedonase dhe gjuha ime amtare janë pasuri që nuk rëndon, por lartëson”, dhe eseja më e mirë ishte ajo e nxënëses Erina Bajrami nga SHFK “Naim Frashëri” – Kumanovë.
Ndërsa për të njëjtën temë, ndër nxënësit e shkollave të mesme që ndjekin mësimin në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, vendin e parë e fitoi nxënësi Aljdin Murati nga shkolla për persona me shikim të dëmtuar “Dimitar Vllahov” – Kisella Vodë, me ese të shkruar në alfabetin Braj. (INA)